Në sipërfaqe, përplasja midis Izraelit dhe Iranit mund të duket si një duel i pabarabartë: një shtet me 9 milionë banorë kundër një gjiganti me mbi 88 milionë.
Por fuqia ushtarake nuk matet vetëm me popullsi.
Në këtë përballje të fundit në Lindjen e Mesme, Tel Avivi ka treguar se superioriteti teknologjik dhe inteligjenca strategjike mund të ndryshojnë rrjedhën e luftës.
Dominimi ajror i Izraelit mbi Teheranin
Sipas një analize të BBC-së, Izraeli pretendon tashmë se ka siguruar kontrollin e qiellit mbi Teheranin, duke mos hasur rezistencë domethënëse nga forcat ajrore iraniane.
Aeroplanët luftarakë izraelitë – të pajisur me teknologjinë më të avancuar amerikane – kanë realizuar goditje precize pa përballuar rrezik të madh.
Në anën tjetër, sistemet mbrojtëse iraniane, përfshirë sistemet S-300, u shkatërruan në valën e parë të sulmeve, duke ua hapur rrugën operacioneve të mëtejshme.
Ndërkohë Mossad ka luajtur rol kyç në prishjen e rrjetit të mbrojtjes ajrore përmes agjentëve të infiltruar dhe dronëve të sofistikuar.
Teherani nën presion, por ende i rrezikshëm
Megjithëse infrastruktura ushtarake iraniane është goditur rëndë dhe një pjesë e madhe e komandës ushtarake është eliminuar, Irani nuk ka qëndruar duarkryq.
Ai ka arritur të lëshojë disa valë raketash balistike drejt Izraelit, një pjesë e të cilave ka depërtuar edhe në sistemet mbrojtëse si Iron Dome.
Ekspertët paralajmërojnë se arsenali balistik i Iranit – më i madhi në rajon – nuk është asgjësuar plotësisht dhe përbën ende një kërcënim serioz.
Aleatët e Iranit – të goditur apo të heshtur?
Ndërkohë që Irani ka ndërtuar prej dekadash një rrjet aleatësh rajonalë – përfshirë Hamasin në Gaza dhe Hezbollahun në Liban – efektiviteti i tyre ka rënë dukshëm. Hamasi është rraskapitur nga luftimet, ndërsa Hezbollahu ka shmangur një përfshirje të drejtpërdrejtë pas goditjes ndaj Iranit.
Rebelët Huthi në Jemen mbeten aktivë, duke sulmuar herë pas here me raketa dhe dronë, megjithëse edhe ata kanë përballuar një fushatë të ashpër ndërkombëtare.
A mund të përshkallëzohet konflikti?
SHBA dhe Britania e Madhe janë në gatishmëri të lartë, me forca të vendosura në Bahrein dhe rajone të tjera strategjike. Një përshkallëzim i mëtejshëm mund të sjellë përfshirje të drejtpërdrejtë të trupave perëndimore, sidomos nëse Irani vendos të bllokojë ngushticën e Hormuzit – arterien kryesore të naftës botërore.
A e arrin Izraeli objektivin final?
Pavarësisht epërsisë teknologjike dhe mbështetjes amerikane – që përfshin miliarda dollarë ndihmë dhe furnizim me armë – ekspertët janë skeptikë se Izraeli mund të arrijë një fitore të plotë.
Programi bërthamor iranian mund të ngadalësohet, por është pothuajse e pamundur të shkatërrohet pa përdorimin e bombave super të rënda të SHBA-së, si Massive Ordnance Penetrator – armë që aktualisht nuk janë në dispozicion të Izraelit.
Ndërkohë, ideja e përmbysjes së regjimit në Teheran përmes sulmeve ajrore është një skenar thuajse utopik.
Siç ka treguar historia në Libi apo konflikti në Gaza, fushatat ajrore nuk garantojnë fitore politike apo paqe afatgjatë – ato krijojnë rrënoja dhe pasiguri. /FaktX/
